American School of Kosova (ASK) ka organizuar edhe këtë vit zgjedhjet studentore për shkollën e mesme të lartë dhe për herë të dytë për shkollën e mesme të ultë, me qëllim zgjedhjen e senatit të shkollës.
Ky proces është një mundësi për nxënësit që të angazhohen në vendimmarrje dhe aktivitete të ndryshme brenda shkollës, duke kontribuar në zhvillimin e një kulture demokratike dhe liderësh të rinj.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme në ASK, Ilirjana Imami-Morina, shpjegoi për Telegrafin se zgjedhjet janë një mundësi për të përfshirë të gjithë komunitetin shkollor nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit në proceset vendimmarrëse dhe organizative të shkollës.
Ajo theksoi rëndësinë e Senatit dhe Qeverisë së shkollës për realizimin e qëllimeve të shkollës, duke theksuar se këto struktura ndihmojnë në zhvillimin e ideve të reja dhe ofrojnë mundësi për realizimin e aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme gjatë vitit shkollor.
“Edhe Senati, edhe Qeveria e shkollës ka një rëndësi shumë të madhe, sepse ne si shkollë e kemi gjithmonë qëllim që të përfshijmë në çdo vendimmarrje dhe organizim gjithë komunitetin shkollor,” tha Imami-Morina.
Ajo theksoi se ky angazhim përfshin të gjithë nxënësit dhe është një mundësi e shkëlqyer për ata që të shprehin mendimet dhe idetë e tyre për zhvillimin e shkollës.
Mësimdhënësi Donat Lixha gjithashtu theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, duke shtuar se ato ofrojnë mundësi për çdo klasë që të ketë përfaqësues në aktivitetet dhe vendimet e shkollës.
“Sot në ASK jemi duke organizuar zgjedhjet studentore për dy nivele—për shkollën e mesme të ultë dhe atë të lartë. Këto zgjedhje përfshijnë tri kategori: ekipin ekzekutiv (presidentin, nënpresidentin, sekretarin dhe arkëtarin), senatorët, dhe këshilltarët që do të jenë pjesë e procesit,” tha Lixha.
Ai theksoi se qëllimi kryesor është të promovohen vlerat demokratike dhe të angazhohen nxënësit në vendimmarrje, duke i motivuar ata të bëhen liderë të angazhuar dhe të kontribuojnë në aktivitetet e shkollës.
Tringa Musliu, mësimdhënëse e biznesit në ASK, shtoi se zgjedhjet kanë ndikim të madh në përfshirjen e nxënësve në aktivitete dhe iniciativa të ndryshme shkollore.
Ajo e theksoi rolin e Senatit në organizimin e aktiviteteve dhe asistimin në implementimin e projekteve, duke përfshirë udhëtime edukative dhe aktivitete vullnetarizmi.
“Senati është shumë aktiv, jo vetëm në organizimin e aktiviteteve brenda shkollës, por edhe në bashkëpunimin me nxënësit e ciklit të ulët,” tha Musliu.
Jeta Jusufi – Xhelili, koordinatore për shkollën fillore dhe të mesme të ulët, theksoi se për shkollën e mesme të lartë këto zgjedhje organizohen çdo vit, ndërsa për ciklin e ulët është viti i dytë që realizohet ky proces.
Ajo shtoi se nxënësit janë të vetëdijësuar për rëndësinë e votës së tyre dhe se pas zgjedhjeve, presidenti dhe senati do të merren me çështje të ndryshme që lidhen me të drejtat dhe aktivitete e nxënësve.
Një nga kandidatët për president në këto zgjedhje, Arizona Thaçi, e cila është kandidate për herë të parë, shpjegoi arsyet e kandidaturës së saj.
“Për arsye se është viti im i fundit në shkollën e mesme, mendoj se është një mundësi e shkëlqyer për të fituar përvojë dhe për të sjellë ndryshime pozitive. Në këtë vit do të punoj për të transformuar disa aktivitete dhe për të ruajtur traditat që shkolla ka pasur gjatë viteve,” tha Thaçi, duke përmendur aktivitete të tilla si “Homecoming dancers”, ekskursione jashtë shtetit dhe aktivitete për mbledhje donacionesh.
Kundërkandidatja e saj, Elisa Çoçaj, theksoi se, nëse zgjidhet presidente, do të sjellë inovacion dhe do të punojë për përmirësimin e aktiviteteve shkollore dhe mësimore.
“Kam zgjedhur të kandidoj për presidente sepse dua të sjell gjëra të reja në shkollë dhe t’i bëj aktivitetet më të mëdha dhe më të mira. Shkolla jonë ofron mundësi të mëdha dhe do mundohem që t’i shfrytëzoj ato për të përmirësuar përvojën shkollore,” tha Çoçaj. /Telegrafi/