Amber, ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, ka deklaruar se është penduar për largimin e saj nga formati dhe ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në shtëpinë më të famshme në Shqipëri. Megjithatë, ajo ka vendosur një kusht për këtë rikthim – të jetë publiku ai që, përmes votës së tyre, kërkon kthimin e saj.
“Do të doja të kthehesha në shtëpi, por vetëm nëse publiku e kërkon këtë”, tha Amber, duke lënë të kuptohet rëndësinë që ka për të mbështetja e fansave.
Përveç kësaj, Amber ndau edhe momente prekëse nga jeta personale, duke përmendur sfidat e saj jashtë dhe brenda lojës. Ajo zbuloi se nëna dhe motra e saj kanë qenë krenare për rrugëtimin e saj në “Big Brother”, edhe pse marrëdhëniet familjare janë komplikuar pas vendimit të Amber për të ndërruar gjininë.
Një nga momentet më të ndjeshme të rrëfimit të saj lidhej me shëndetin e nënës. Amber tregoi se, gjatë kohës që ajo ishte në shtëpinë e “Big Brother”, nëna e saj kishte kaluar një atak kardiak. Megjithatë, nëna e saj kishte kërkuar që ky informacion të mos i komunikohej vajzës së saj për të mos ndikuar në pjesëmarrjen e saj në lojë.
“Nëna ime kishte kaluar një atak kardiak, por kishte kërkuar që të mos më tregohej asgjë sepse nuk donte të më ndërpriste rrugëtimin. Ajo ka thënë ‘që vajza ime ka kaluar shumë për të qenë aty ku është’. Tani ajo është mirë dhe ka thënë se ndihet krenare për mua”, tha Amber. /Telegrafi/