Telegrafi

Ambasadori amerikan falënderon ish-ministrin Mehaj për bashkëpunimin e ngushtë

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili sot ka dhënë dorëheqje nga ky funksion. 

Hpvenier, përmes një postimi në Twitter, ka thënë me ministrin Mehaj kanë pasur bashkëpunim dhe partneritet të ngushtë.

“Shfrytëzoj mundësinë për të falënderuar ish-ministrin e Mbrojtjes Mehaj për shërbimin e tij dhe bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë gjatë mandatit të tij. I uruar të gjitha të mirat në angazhimet e tij të ardhshme”, ka shkruar ambasadori Hovenier, transmeton Telegrafi.

Të martën në mëngjes, Mehaj tha përmes një postimi në Facebook se dha dorëheqje nga py post për arsye familjare.

Mehaj përmendi disa prej arritjeve që tha se janë realizuar gjatë mandatit të tij në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai tha se gjatë mandatit të tij kanë ndodhur disa arritje, sikurse dyfishimi i buxhetit për këtë dikaster nga 64 milionë në 123 milionë, rekrutimi i mbi 1.800 ushtarëve të rinj, dërgimi i ushtarëve dhe oficerëve në trajnime dhe shkollime në akademi ushtarake në SHBA, Mbretëri të Bashkuar, Gjermani, Turqi e vende të tjera.

Lexo po ashtu Ndryshime në qeveri, Mehaj zëvendësohet nga koloneli i FSK-së, Ejup Maqedonci

Mehaj si arritje përmendi edhe pjesëmarrjen e Kosovës në ushtrimet e NATO-s, “Defender Europe 2021”.

“Për herë të parë në historinë e FSK-së, ushtarët tanë kanë qenë pjesë e misioneve të mbështetjes së paqes në Lindje të Mesme dhe në Ishujt Falkland, përkrah ushtrive partnere të ShBA-së dhe Britanisë së Madhe”, theksoi Mehaj.

Ndërsa, menjëherë pas dorëheqjes së Mehajt kryeministri Kurti e ka emëruar ministër të Mbrojtjes të Kosovës, ushtarakun Ejup Maqedonci.

Kryeministri Kurti e falënderoi Mehajn për punën në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”, shkroi Kurti në Facebook. /Telegrafi/