Site icon Telegrafi

Ambasadorja kroate: Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

Kroacia do ta mbështes Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Evropian dhe NATO. Kështu është shprehur ambasadorja kroate, Danijela Barishiq pas takimit që pati me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme.

“Kroacia vazhdimisht ka mbështetur rrugën euroatlantike të Kosovës, dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian, gjithashtu edhe në NATO”, tha Barishiq.

Ambasadorja kroate tha se gjatë takimit me anëtarët e këtij komisioni diskutuan për shumë tema.

“I falënderoj  anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme për ftesën, isha e nderuar që të diskutonim shumë tema. Folëm për relacionet tona që i janë shumë miqësore, e gjithashtu diskutuam edhe për bashkëpunimin regjional”, u shpreh ajo.

Barishiq tutje shtoi se sa i përket agresionit rus në Ukrainë, i jemi shumë mirënjohës Kosovës që vendosi të rreshtohet në anën e drejtë, ashtu siç kemi bërë edhe ne, BE-ja dhe SHBA-të.

“Kosova është e rrethuar nga anëtarë të BE-së dhe NATO-s, ju jeni vend evropian që ndanë vlerat e BE-së, dhe këtë e treguat edhe me sanksionet ndaj Rusisë”, tha Barishiq.

E kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi u shpreh se me ambasadoren kroate biseduan për tema të ndryshme kryesisht në bashkëpunimin bilateral në mes Kroacisë dhe Kosovës, dhe mundësitë që marrëdhëniet që kemi të thellohen edhe më tutje.

“Gjithashtu kemi diskutuar edhe për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes së rajonit shkak i situatës në Ukrainë E falënderuam Kroacinë për përkrahjen e vazhdueshme të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit tonë. Folëm edhe për temën e integrimit evropian, dhe përvojën e Kroacisë në këtë rrugë”, tha Abazi. /Telegrafi/

Exit mobile version