“Ne kemi dhënë garancion evropian se përfshirja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë do të jetë parakusht për vazhdimin e bisedimeve me Maqedoninë”, thotë ambasadorja franceze në Sofje, Florence Robin, mandati i së cilës skadon në mes të tetorit.
“Kjo është pjesë e të ashtuquajturit propozim francez, i cili në praktikë është një propozim evropian dhe është kusht i shkruar në protokollin e nënshkruar nga të gjitha palët. Besojmë se do të jetë një proces i vështirë, por me mirëkuptim dhe shpjegim do të sjellë siguri”, tha ajo.
“Ishte një temë e vështirë dhe komplekse. Ne zgjodhëm të mos e trajtojmë teorikisht dhe dogmatikisht, por të dëgjojmë realisht shqetësimet e Bullgarisë dhe Maqedonisë, të respektojmë historinë dhe kulturën e tyre, si dhe vijat e kuqe të tyre”, thotë Robin.
Ajo është shprehur se qëllimi i propozimit francez ishte për të hequr çështje shumë komplekse të dyanshme, atë të historisë dhe gjuhës.
“Konteksti i luftës në Ukrainë na ka treguar se ky proces është absolutisht urgjent në mënyrë që ne t’i rezistojmë të gjitha përpjekjeve për të destabilizuar këtë pjesë të Evropës”, shtoi ajo.
E pyetur se pse Presidenti Emmanuel Macron po vazhdonte të zhvillonte bisedime me udhëheqësin e Kremlinit, Vladimir Putin, Robin shpjegoi se kishte një shans diplomatik për një armëpushim, por kjo nuk do të thotë se Franca po negocionte me Rusinë.
“Ky është thelbi i diplomacisë, të vazhdojmë të flasim edhe me njerëz me të cilët nuk jemi dakord,” thotë ajo.