Telegrafi

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën takohet në Vjenë me kryeparlamentarin austiak, bisedojnë për personat me nevoja të veçanta

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC Elvana Shala ka nisur sot vizitën zyrtare në Vjenë të Austrisë, ku është pritur në takim nga Kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, në prag të nisjes së punimeve të konferencës më të madhe globale të diplomacisë publike dhe të drejtave të njeriut në OKB, ZeroProject Conference në të cilën Shala do të përfaqësojë Kosovën, thuhet në komunikatë

Fokus i veçantë i diskutimit të delegacioneve të përzgjedhura në takim me kryetarin Sobotka, ku në mesin e tyre ishte edhe Ambasadorja Shala, ishin personat me nevoja të veçanta dhe pjesëmarrja e tyre në politikë si temë kryesore që OKB do ta trajtoj këtë vit në këtë konferencë në Vjenë.

Në një bashkëbisedim me Kryetarin Sobotka, ambasadorja Shala ka kërkuar që çështja e personave me nevoja të veçanta në Kosovë të jetë temë edhe në vendet tjera evropiane.  Ajo e ka njoftuar kryeparlamentarin austriak edhe me gjendjen e kësaj kategorie në Kosovë.

Kryetari Sobotka ka vlerësuar lartë punën e ambasadores Shala për këtë kategori duke shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Shala ka takuar edhe disa deputet të parlamentit dhe zyrtar të tjerë te shtetit austriak.

Ndryshe, nesër nis zyrtarisht punimet konferenca më e madhe globale ZeroProject Conferencë në selinë e OKB-së në Vjenë në të cilën Ambasadorja Shala do të përfaqësoj Kosovën në mesin e 800 pjesëmarrësve nga mbarë bota. /Telegrafi/