Site icon Telegrafi

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën, Elvana Shala ndan përvojën, arritjet dhe sfidat gjatë mandateve të saj

Elvana Shala, Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, ka përmbushur 10 vjet në këtë mision.

Në një intervistë për Telegrafin ajo ndan përvojën e saj, arritjet, dhe sfidat që ka hasur gjatë dy mandateve të saj.

“Kam përmbushur 10 vite si ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovën në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Kjo është një përvojë që ka nisur që në vitin 2014 dhe vazhdon të jetë një mundësi e shkëlqyer për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut, si dhe për të përfaqësuar Kosovën kudo në botë. Madje, kjo përfshin edhe vendet dhe organizatat që ende nuk e kanë njohur shtetin tonë”,  tha Shala, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë publike dhe përpjekjeve për të fituar mbështetje ndërkombëtare për Kosovën”, tha ajo.

Sipas saj, një pjesë e rëndësishme e misionit të saj është ndihma që i ka ofruar kategorive të margjinalizuara të shoqërisë kosovare, të cilat shpesh nuk kanë një zë të fortë në forumet ndërkombëtare.

“Përveç përfaqësimit të Kosovës, kam synuar të sjell projekte që përfshijnë drejtpërdrejtë ata që kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë. Kjo është diçka që më ka frymëzuar, pasi e di se këto grupe shpesh përballen me sfida të mëdha dhe kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe vëmendje”.

Lexo po ashtu Ambasadorja Elvana Shala organizon ngjarjen “Ritmi i Barazisë” në mbështetje të grupeve të margjinalizuara në Kosovë

Për Shalën, kjo punë ka sjellë vlerësime ndërkombëtare.

“Jam nderuar të shpërblehem me çmime të ndryshme, jo vetëm nga shtetet që kanë njohur Kosovës, por edhe nga ato që nuk kanë marrëdhënie formale me ne. Ky është një shenjë e vlerësimit për punën time dhe angazhimin tim të përhershëm në avancimin e të drejtave të njeriut,” tha ajo, duke shtuar se një nga arritjet më të rëndësishme ka qenë mbështetja për viktimat e dhunës gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe për komunitetet jo shumicë që përballen me diskriminim.

Shala po ashtu u shpreh se ndjehet shumë e lumtur që ka arritur që disa shteteve të ia ndryshoj mendimin për Kosovën.

Për më shumë ndiqeni intervistën e saj të dhënë për Telegrafin. /Telegrafi/

Exit mobile version