Site icon Telegrafi

Ambasadorja e Finlandës: Së shpejti liberalizimi i vizave

Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, është shprehur optimiste se së shpejti Kosova do të ketë liberalizimin e vizave. Por thekson se ka shumë për të bërë sa i përket korrupsionit.

Sipas saj, fokusi i Qeverisë së Kosovës duhet të jetë në përmbushjen e këtij kriteri të fundit që vendi duhet të plotësojë, që jo vetëm përmbush obligimet në procesin e integrimit evropian, por sjellë shumë të mira për shoqërinë kosovare, me theks të veçantë për të rinjtë.

“Shpresoj që së shpejti. Ne pala finlandeze, me të vërtetë shpresojmë që veçanërisht të rinjtë të mund të udhëtojnë pa viza në Evropë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ka disa kërkesa të cilat janë të nevojshme dhe për momentin nuk e kam shumë të qartë, pasi do ta marrim vlerësimin së shpejti më datën 28 të këtij muaji besoj, kështu që nuk e di se si do dalë vlerësimi, por mendoj se është shumë e nevojshme të mendoni sa i përket anti-korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse ju nuk po e bëni këtë për BE-në, por po e bëni këtë për veten tuaj dhe për Kosovën”, ka thënë ambasadorja e Finlandës në një intervistë për KosovaPress.

Teksa foli për korrupsionin, ambasadorja finlandeze apelon tek institucionet e vendit që të jenë më strikte në luftimin e kësaj dukurie.

“Sigurisht të gjithë e dinë se ka shumë për të bërë sidomos sa i përket korrupsionit. Pra, masat kundër korrupsionit duhet të merren më seriozisht. Sa i përket krimit të organizuar, unë nuk jam shumë e informuar se çfarë është situata në këtë drejtim, kështu që unë nuk mund të komentoj shumë për këtë”, thotë Stjervall.

Ndryshe nesër pritet që Komisioni Evropian ta publikojë raportin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky raport pritet të dëshmojë nëse vendi e ka plotësuar kriterin e fundit për viza, gjegjësisht luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizua. /KP/

Exit mobile version