Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku,për herë të parë ka folur për (mos) njohjen e shtetësisë nga Xhamajka.
Fillimisht, presidenti Hashim Thaçi, të enjten përmes një postimi në Twitter, njoftoi se shteti i Xhamajkës ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Mirëpo një lajm i tillë u demantua pastaj nga ministrja e Punëve të Jashtme të Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith.
Për ta larguar barrën nga vetja, Zyra e Presidentit në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se njoftimin për njohjen nga Xhamajka e kanë marrë zyrtarisht nga ambasadorja Vlora Çitaku.
Madje kanë thënë se për informacione tjera duhet t’i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Nga kjo pati akuza e reagime nga me të ndryshmet. Madje u kërkua edhe shkarkimi i ambasadores Çitaku.
E pas tërë kësaj zhurme, u lajmërua Vlora Çitaku.
Çitaku fillimisht i është përgjigjur zëvendëskryeministrit Haki Abazi, i cili ka deklaruar të shtunën se Ambasada në SHBA i ka shërbyer më shumë presidentit Thaçi se sa interesit të Kosovës.
“Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës. Nuk është hera e parë që Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike”, ka thënë Çitaku.
Çitaku theksoi se për çështjen e Xhamajkës, ka shumë palë të përfshira dhe për këtë është përmbajtur deri me tani.
“Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje. Çdo gjë do të sqarohet me kohë”, thotë ambasadorja.
Ajo i është drejtuar Abazit, duke i thënë se si zëvendëskryeministër, nuk e ka kontaktuar fillimisht që të sqarojë situatën por ka hedhur akuza…
“Zv.kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nder tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem”, ka deklaruar Çitaku.
Ambasadorja më tej ka shprehur shqetësimin që institucionet baltosen për inate politike e personale.
“Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale. Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik. E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime”, ka thënë Çitaku.
Ndryshe, tashmë kanë kaluar 2 vit që kur Kosova e ka pranuar njohjen e fundit nga Barbadosi.
Që nga ajo kohë, Ministria e Jashtme e Kosovës, kishte akuzuar Qeverinë e Serbisë se po ofron ryshfet në këmbim të tërheqjes së njohjes për Kosovës.
Kosova është përballur me një fushatë të paprecedentë diplomatike dhe propagandistike nga Serbia, me mbështetjen e Rusisë dhe vendeve të tjera, për të penguar integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.
Aktualisht, në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, figurojnë 116 shtete, të cilat thuhet se e kanë njohur Kosovën. /Telegrafi/