Aktorja e njohur e skenës, Adriana Matoshi, ka qenë kryetemë e mediave rozë këto ditë.
Fillimisht ajo u përfol për lidhjen e saj të re që ka nisur me futbollistin 21-vjeçar me prejardhje nga Afrika e Jugut, Neith, teksa më pas të reja pati edhe nga karriera e saj prorfesionale, ku ajo u shpërblye me çmimin ‘Aktorja më e mirë’ në festivalin Mostra de Velencia të Spanjës.
Mes urimeve të shumta, ambasadorja e në ikje, Vlora Çitaku, përdori një “ironi” në rrjetin social Facebook, për të shprehur urimet e saj për sukseset e Matoshit.
Teksa publikoi dy fotografi të Adrianës nga roli i saj në filmin “Zana”, Çitaku shkroi në mbishkrimin e fotografisë: “Tash jeni krenar me Adrianën, a po? #Zemramal”.
Me këtë, ajo sikur iu referua komenteve të shumta të së shtunës, kur edhe u bë publike lidhja e saj e re.
Një përkrahje të madhe morale, aktores iu dha edhe nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, e cila gjithashtu i dedikoi një status në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.
“Jeta di të sfidojë në një mijë mënyra, por çdo rënie është ngritje. Secili/secila ka të drejtë të zgjedhë si dhe me kënd do ta kalojë jetën. Kokën lart për të gjithë ata që zgjedhin lumturinë dhe e ndjekin rrugën e zemrës”, ka shkruar Dumoshi, teksa ka etiketuar aktoren Matoshi.
Ndërkohë vet Adriana përmes një reagimi në rrjetet sociale, është shprehur se “dashuria dhe lidhja nuk e bëjnë një njeri më të mirë apo më të keq – dashuria thjeshtë e bën më të lumtur”. /Telegrafi/