Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, është shprehur i zhgënjyer me mungesën e rezultateve sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd. Gjersa, ka shtuar se do të ishte zgjidhje vendosja e afateve për çdo gjë.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, është shprehur i zhgënjyer me mungesën e rezultateve sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd.
Sipas tij, vënia e afateve mund të ishte një opsion i mirë për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjeve mes dyja vendeve por, paralajmëron se as kjo nuk është e lehtë.
Ai në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se për të gjitha konfliktet ekzistojnë zgjidhjet.
“Mendoj se kur je ndërmjetësues i një dialogu është gjithmonë e vështirë, kurrë nuk e di sa kohë duhet të punosh, unë kam punuar ndoshta në 10 procese të ndryshme ndërmjetësimi, le të themi në Afrikë, në Azi, në Lindje të Mesme dhe në Kaukaz, dhe nuk mund ta dini kurrë se sa kohë do ju marrë, por praktikisht në të gjitha konfliktet ekziston një zgjidhje e mundshme. Disa njerëz flasin për ‘konflikte të ngrira’, por në vend të kësaj ato duhet të quhen ‘zgjidhje të ngrira’, pra duhet të gjendet një zgjidhje. Unë jam optimist, nuk do të ndodhë ndonjë mrekulli në këtë dialog, do të marrë kohë, por mendoj se dialogu i normalizimit po përmirësohet dhe plani franko-gjerman ka merita”, ka deklaruar ambasadori suedez.
Ndër të tjera, ai ka thënë se është zhgënjyese që nuk ka pasur përparim nga viti 1999, kur ai ka qenë në Kosovë si pjesë e misionit të OSBE-së. Kësisoj, sipas Westerlund, vënia e afateve mund të jetë një rekomandim i mirë.
“Mendoj se është shumë zhgënjyese që nuk kemi përparuar më shumë që kur unë e kam vizituar Kosovën në vitin 1999, kështu që jam shumë i zhgënjyer. Unë besoj se një plan i duhur dhe negociatat e rregullta me një afat të duhur mund të jenë njëri opsion. Gjithçka varet nga dy kryeqytetet (Prishtina dhe Beogradi) dhe nga Lajçaku sigurisht, por nëse më pyesni mua ky (vënia e afateve) do të ishte një rekomandim i mirë”, ka deklaruar ai.
Në shkurt të këtij viti, Rusia nisi agresionin e saj në Ukrainë dhe ky akt e ka bërë Evropën një vend shumë më të pasigurtë.
Serbia zgjodhi të mos dënojë këtë agresion dhe të mos harmonizojë politikat e saj të jashtme me Bashkimin Evropian për të dënuar Rusinë.
Mirëpo ambasadori suedez thotë se është i lumtur që Kosova ka zgjedhur të kundërtën dhe kërkon që të gjitha vendet të ndjekin shembullin e Kosovës.
“Së pari më lejoni ta theksoj se Bashkimi Evropian, dhe Suedia si anëtare e BE-së, natyrisht, është shumë e kënaqur që Kosova e ka përafruar politikën e saj të jashtme me anëtarët e Bashkimit Evropian, kur është fjala për sanksionet dhe për të kritikuar Rusinë për agresionin e saj ndaj Ukrainës. Nuk dua të komentoj qëndrimin e Serbisë për këtë çështje, kjo i takon ambasadorit suedez në Beograd, mirëpo ne jemi shumë të kënaqur me qëndrimin e Kosovës sa i përket kësaj çështjeje, dhe ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve fqinje, ta bëjnë të njëjtën gjë, të ndjekin shembullin e Kosovës në këtë çështje”, vijon ambasadori suedez.
Ai ka folur njashtu edhe për ngritjen e një Ode Ekonomike Suedeze në Kosovë, kjo për shkak se thotë se Kosova dhe Suedia gëzojnë raporte të shkëlqyera.
“Mendoj se kjo është një platformë e shkëlqyer. Ne kemi rreth 70,000 shqiptarë të Kosovës, po ashtu kemi edhe një gjeneratë të dytë në Suedi, dhe kjo është jashtëzakonisht e dobishme. Shumë prej tyre janë shumë të suksesshëm në fushën e akademisë dhe në shumë biznese të vogla në Suedi, pra absolutisht. Synimi im është që të hap një Odë Ekonomike Nordike, ose një Odë Ekonomike Suedeze në Kosovë. Unë jam duke e shqyrtuar këtë mundësi, dhe sigurisht që do të punoj shumë ngushtë me shumë shqiptarë të Kosovës në Suedi”, u shpreh ai.
Ndryshe, Suedia nesër me datë 1 janar 2023 do të marrë kryesimin me Presidencën e radhës të BE-së e cila ndryshon një herë në gjashtë muaj dhe pritet të luajë një rol të rëndësishëm në shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në BE.