Ambasadori i Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, thotë se nuk është koha që të jepen parashikime për datën e mundshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Sipas tij, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që Komisioni Evropian ia ka përcaktuar për liberalizimin, përpos njërit, e ai është kriteri për luftimin e korrupsionit.
“Mendoj se është e rëndësishme që kur flasim për liberalizimin e vizave të qëndrojmë tek 90 kriteret plus ato që Komisioni Evropian ka përcaktuar për Kosovën. Dhe vlerësimi jonë është që në rregull, ka mbetur edhe një kriter, ndërsa të tjerat janë përmbushur. Ne jemi në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian dhe si ta them ata e kanë edhe përvojën kur vjen fjala për të vlerësuar nëse Kosova nuk e ka përmbushur si duhet një kriter apo jo. Unë dua të theksojë po ashtu se këto kritere janë, sigurisht synimi ka qenë arritja e liberalizimit të vizave dhe për të udhëtuar lirshëm në shtete e zonës Schengen, por janë si të them edhe shumë përfitime tjera për shoqërinë kosovare në përgjithësi… Unë mendoj që është shumë vështirë që të bëhen parashikime në këtë kohë, sepse është e pamundur të dihet tani për tani. Ndoshta nuk është shumë frytdhënëse që në këtë kohë dhe situatë të mendo het shumë për datën se kur do të ndodh, sa do të ishte fokusimi në plotësimin e kriterit të fundit dhe pastaj të niset prej aty”, ka thënë Nilsson.
Ai po ashtu ka folur për kërkesën e KE-së ndaj Kosovës që të dorëzohet një raport të historikut (track record report) me të dhëna lidhur me vendime finale gjyqësore, pra të Apelit, për raste të krimit të organizuar dhe korrupsioni, e sidomos korrupsionit zyrtar.
Nilsson këshillon Qeverinë e Kosovës që të fokusohet në këtë kërkesë sa i përket vizave më tepër se sa në datën.
“Ne bashkëpunojmë ngushtë me Komisionin Evropian dhe Komisioni Evropian me Qeverinë e Kosovës dhe këtu është e shtrirë gjithçka, nëse mund të them kështu. Ata [Komisioni Evropian] kanë kërkuar një raport (track record) dhe kur KE e bënë vlerësimin mbi këtë ne e dëgjojmë më vëmendje vlerësimin për këtë, dhe unë nuk kam ndonjë këshillë të veçantë përtej kësaj pra. Sepse më tepër do të inkurajoja Qeverinë e Kosovës që të punojë për të përmbushur këtë kriterin e fundit”, ka thënë ambasadori Nilsson.
Ambasadori Nilsson, i cili përfaqëson Qeverinë e Suedisë në tre shtete të Ballkanit, Kosovën Maqedoninë dhe Shqipërinë, ka folur ndër të tjerash edhe për marrëdhëniet Kosovë- Suedi duke i quajtur të “shkëlqyera”. Si bazë për këtë ka përmendur faktin se afro 47 mijë kosovarë jetojnë në Suedi, bazë kjo që sipas tij, lidhë dy shtetet fuqishëm.
Ai ka thënë se Suedia e mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, porse angazhimin më të madh politik të shtetit të tij në Kosovë e sheh përmes reformave.
“Si Ambasador i Suedisë në Kosovë, kjo është fusha në të cilën jam fokusuar që të kontribuojë sa më shumë që mundem, në mënyrë që ta sjellë Kosovën sa më afër Bashkimit Evropian, dhe vendi apo mjeti për ta bërë këtë është nëpërmjet reformave. Kështu që ne investojmë shumë burime dhe po ashtu shumë punë në bashkëpunimin me Kosovën në mënyra të ndryshme ashtu që Kosova të reformohet në rrugën e saj për në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Vetëm këtë vit Qeveria Suedeze ka ndarë afro 74 milionë euro për Qeverinë e Kosovës në mbështetje të reformave në demokraci, ekonomi, zhvillim shoqëror, etj. Krejt kjo në kuadër të angazhimit të Qeverisë suedeze për të mbështetur procesin e integrimit evropian për Kosovën, për çka ishte nënshkruar një marrëveshje me ministrin e atëhershëm të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollakun, në tetorin e vitit 2015.
Megjithatë Ambasada Suedeze nuk është në fokus në politikën ditore kosovare, aq më pak kur flitet për “vendime të mëdha” politike, siç ndodhë me ambasadat e tjera të cilat perceptohen si më me ndikim në vendime politike. I pyetur nëse kjo ka të bëjë me qasjen e qeverisë Suedeze dhe neutralitetit ndaj çështjeve të brendshme të Kosovës, apo vetëm me reflektim të fuqisë së saj në Kosovë, Nilsson bënë të qartë politikën e qeverisë që përfaqëson duke insistuar në atë se janë për bashkëpunime me Qeverinë e Kosovës por jo edhe ndërhyrje në vendime që i përkasin lidershipit të Kosovës.
“Pra ju po pyesni për ndërhyrje në ‘politika të mëdha’, le të themi që ne preferojmë bashkëpunimin dhe bashkëpunimi në reformat është mënyra jonë e përdorimit të përvojës që ne kemi dhe ta ndajmë atë me Kosovën. Dhe mendojmë se kjo është një mënyrë efikase e bashkëpunimit”, ka thënë ai.
Ambasadori suedez tutje tha se votuesit kosovarë duhet të dinë përgjegjësit për vendimet që merren për jetën e tyre dhe ata duhet të jenë liderët kosovarë.
“Mendojë që është e rëndësishme që lidershipi i Kosovës, ata janë të përgjegjës për veprimet e tyre, dhe nëse unë do të isha votues në Kosovë sigurisht që unë do të doja të dijë se kush është për t’u mbajtur përgjegjës për vendimet që merren. Kështu që si diplomat apo shtet i huaj në Kosovë, sigurisht që ne ia lëmë liderëve politik të Kosovës që të marrin vendimet në lidhje me shtetin e tyre, por ne sigurisht jemi të hapur për bashkëpunime. Ne duam që ta sjellim Kosovën më afër Bashkimit Evropian dhe ne duam të asistojmë në këtë”, tha ambasadori Nilsson, i cili kontributin më të madh të Suedisë në Kosovë e sheh në reforma dhe demokratizim, ku edhe thotë se edhe e kanë fokusin si Qeveri.
Duke folur më tej për situatën politike në Kosovë, ambasadori i Suedisë ka komentuar edhe rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe rëndësisë që Kosova të përmbushur të gjitha obligimet për të cilat është zotuar si palë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
I pyetur për atë se si mund të duket një fund i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e që mendohet të arrihet me marrëveshjen ligjore detyruese për palët këtë vit, ambasadori tha se njohja reciproke duhet të jetë diçka logjikisht e rrjedhshme nga marrëveshja.
Megjithatë kur u pyet edhe për deklaratat e tij, të cilat janë thuajse narrativë e njëjtë edhe me ambasadorët e tjerë sa i përket transformimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në mandat ushtarak, si nevojë për stabilitetin jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, Nilsson insistoi në atë se duhen ndryshime kushtetuese. Ani pse për këtë kërkohen votat e përfaqësuesve serbë në Parlament, e të cilët nuk janë pro krijimit ë ushtrisë së Kosovës.
Ambasadori për fund pati edhe një porosi për politikanët e Kosovës. “Kosova është demokrate dhe liderët politik kanë mandat demokrat. Por këshilla ime sigurisht do të ishte që të shikojnë nga e ardhmja dhe të bëjnë maksimumin në reforma që shtetet e tjera si Suedia për shembull të dëshirojnë të afrohen me Kosovën dhe të bëjnë atë pjesë të BE-së”, ka thënë ambasadori Nilsson.
Ambasadori Nilsson përfaqëson Mbretërinë e Suedisë në Kosovë, si ambasadori i parë rezident, prej vitit 2016. Suedia është ndër të parat shtete anëtare të BE-së që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, duke e zyrtarizuar atë me 4 mars të vitit 2008. /kp/Telegrafi/