Site icon Telegrafi

Ambasadori suedez tregon se si është të bësh joga në rrugët e Koresë së Veriut – para disa monumenteve ikonë të vendit

Ambasadori suedez Joachim Bergstrom prezanton disa “pamje të pamundura” në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Pyongyang, pasi praktikon joga dhe pozon pranë disa prej vendeve më ikonë të vendit.

Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, një nga disa diplomatët perëndimorë që nuk është evakuuar nga Koreja e Veriut në mes të kufizimeve të coronavirusit, Bergstrom është mbështetur në joga për të duruar ndjenjën e izolimit.

Bergstrom, i cili ka qenë në Korenë e Veriut si ambasador që nga shtatori 2019, erdhi i përgatitur të përdorë regjimin e stërvitjes si një mënyrë për të qëndruar shëndetshëm në një vend ku të huajt dhe banorët janë nën kufizime të vazhdueshme.

Por ndjenja e izolimit u thellua kur coronavirusi filloi të përhapet në Kinën fqinje në janar, duke bërë që Koreja e Veriut të mbyllë kufijtë e saj, të anulojë shumicën e fluturimeve dhe shërbimin e trenave dhe të dërgojë banorët e huaj në më shumë se një muaj karantinë.

Koreja e Veriut thotë se ka zero raste të konfirmuara të coronavirusit, por ka ndërmarrë masa domethënëse për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Disa delegacione të huaja vendosën të largoheshin përkohësisht, përfshirë zyrtarë nga Gjermania, Franca dhe Britania, ndërsa të tjerët u mbetën jashtë vendit nga mbyllja e papritur e kufirit.

Herë pas here, thotë Bergstrom, ai udhëton me biçikleta dhe praktikon joga në parqe apo pika të tjera publike, shpesh duke shkaktuar buzëqeshje dhe shikime nga banorët, për të cilët thotë se janë kuriozë dhe miqësorë.

Ai ka postuar fotografi në mediat sociale të tij duke pozuar joga të mrekullueshme para disa prej monumenteve të Pyongyang, përfshirë Kullën Juche, Hotelin e papërfunduar Ryugyong dhe Harkun e Triumfit. /Telegrafi/

Exit mobile version