Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se ka një shans të vogël për lajm pozitiv nga takimi i kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, sot në Bruksel.
Gjatë një ligjërate me studentët e Fakultetit Filozofik në Prishtinë, ambasadori suedez porositi palët në dialog që t’i zbatojnë gjitha marrëveshjet nga e kaluara, përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Për dialogun e normalizimit, jam i sigurt se jeni në dijeni se sot është një takim në Bruksel, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Kam vërejtur se ka pasur disa para-negocime në media, dhe kryeministri juaj ka thënë se dëshiron të fokusohet në propozimin franko-gjerman dhe jo të fokusohet në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse presidenti Vuçiq tha se ai dëshiron të shohë themelimin e Asociacionit përpara se të diskutohet propozimi franko-gjerman”.
“Nuk më takon mua të diskutoj se çfarë do të ndodhë sot. Mendoj se ka një shans të vogël për një lajm pozitiv sot nga Brukseli. Pra, le të shpresojmë që qëndrimi i Bashkimit Evropian për këtë, përfshirë Suedinë dhe SHBA-në, është se të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen. Ideja është se nuk mund të zgjedhësh midis marrëveshjeve të mëparshme. Pse ka një qeveri të re, nuk do thotë se mund t’i injorosh të gjitha angazhimet e qeverive të kaluara, sepse atëherë duhet të filloni nga e para. Juve mund t’ju pëlqejnë, mund të mos ju pëlqejnë disa nga këto marrëveshje, por ju duhet të jeni në gjendje t’i zbatoni ato marrëveshje”, tha ai.
Ai përmendi edhe dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku tha se Suedia e cila kryeson presidencës e Këshillit të Evropës është duke vazhduar konsultimet me 27 vendet anëtare të BE-së dhe më pas të merr një vendim për këtë çështje.
“Ju e dini që Kosova ia dorëzoi presidencës çeke aplikacionin për aplikim në BE vitin e kaluar, në mes të dhjetorit. Ne do ta çojmë procesin përpara duke ndërmarrë konsultime të kujdesshme me të gjitha shtetet anëtare tani, duke filluar nga të ashtuquajturit shtetet mosnjohëse. Ambasadori suedez në Bruksel i udhëheq këto konsultime dhe ato janë ende duke vazhduar. Ne kemi konsultimet e para me shtetet mosnjohëse dhe tani po bëjmë konsultime me të gjitha shtetet e tjera anëtare”.
“Asgjë më shumë se kjo unë nuk mund të zbuloj veçanërisht jo me mediat këtu në këtë sallë, por konsultimi është duke vazhduar, dhe pyetja kryesore është nëse presidenca suedeze e BE-së duhet t’ia dorëzojë apo jo Komisionit Evropian kërkesën për anëtarësim në BE, d.m.th. kjo është pyetja kryesore, por kjo është në të vërtetë, kjo nuk varet nga presidenca suedeze e BE-së, ne duhet të konsultohemi me të gjitha shtetet anëtare dhe më pas të marrim një vendim. Pra, ne do të kemi një rol shumë neutral gjatë presidencës suedeze të BE-së”, shtoi Westerlund.
Ai nënvizoi se ardhmja e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, derisa tha se të njëjtat duhet të fokusohen në forcim të sundimit të ligjit dhe reformat shtetërore.