Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se me planin evropian, Kosova përfiton shumë gjëra.
Në një intervistë për “Debat Plus” në RTV Dukagjini ai ka numëruar të mirat që sjell marrëveshja për Kosovën.
“Marrëveshja sjell shumë gjëra për Kosovën. Aty janë një varg gjërash që ne mendojmë se janë në interes të Kosovës. Referenca për paprekshmërinë e kufijve, respektimi i integritetit dhe sovranitetit, mbrojtja e pakicave kombëtare”, deklaroi Hovenier.
“Pajtimi për të zhvilluar fqinjësi të mirë mbi bazën e të drejtave të barabarta, zotimi për njohjen e dokumenteve dhe simboleve kombëtare, përfshirë pasaportat, targat, vulat doganore, diplomat, respektimi i pavarësisë, e drejta e vetëvendosjes, mosmarrëveshjet do të zgjidhen përmes rrugëve paqësore pa përdorimin e forcës”, shtoi ai.
Ambasadori i SHBA tha se dëshiron të vë në pah edhe paketën financiare që do ta përfitojnë Kosova dhe Serbia për zhvillimin e përbashkët ekonomik.
Ai tha se gjithë kjo siguri që i jepet Kosovës do të ndikojë në ardhjen e investitorëve të rinj./Telegrafi/