Site icon Telegrafi

Ambasadori i BE-së takohet me anëtarët e Këshillit të Investitorëve Evropian, bisedojnë për sfidat e sektorit privat në Kosovë

Ambasadori i sapoemëruar i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Aivo Orav, ka marrë pjesë të enjten në një takim me bizneset anëtare të Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë (EIC).

Sipas një njoftimi për media, ky takim, i organizuar nga EIC, shërbeu si platformë për dialog mbi mundësitë për investime dhe bashkëpunim, si dhe sfidat e sektorit privat në Kosovë.

“Gjatë këtij takimi, Ambasadori Orav theksoi se zhvillimi i sektorit privat dhe rritja e qëndrueshme ekonomike janë parakusht për progres në fusha të tjera të shoqërisë, përkatësisht në sferat politike, ekonomike dhe sociale.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për punën e Këshillit të Investitorëve Evropian, në veçanti lidhur me promovimin e rritjes së qëndrueshme në përputhje me praktikat më të mira të BE-së. Kjo është gjithashtu e rëndësishme në përgatitjen e Kosovës për integrim në tregun e përbashkët rajonal, dhe më tutje, në tregun unik të BE-së”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet nw njoftim, Genond Mesareja, presidenti i Bordit të Drejtorëve të EIC, theksoi rëndësinë e krijimit të një ambienti të të bërit biznes që është stabil, transparent dhe i parashikueshëm, për të ndihmuar tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Ai ritheksoi përkushtimin e Këshillit për të promovuar qasjen e udhëhequr nga dialogu, për zgjidhjen e problemeve të sektorit privat në Kosovë.

Emrush Ujkani, kryeshefi ekzekutiv i EIC, njoftoi Ambasadorin Orav mbi prioritetet kryesore të Këshillit, të cilat përfshijnë adresimin e sfidave lidhur me sundimin e ligjit, promovimin e investimeve të huaja direkte, dhe rritjen e dialogut publiko-privat.

Ai gjithashtu përmendi përkushtimin e vazhdueshëm të Këshillit për krijimin e një klime më të favorshme për investime në Kosovë.

Anëtarët e Bordit të EIC ndanë perspektivën e tyre mbi gjendjen ekonomike aktuale, duke u fokusuar në sfera si siguria ligjore, qasja në financa, dhe nevoja për sundim konsistent të ligjit.

Ndërkaq, siç bëhet e ditur në njoftim të gjitha palët u dakorduan se dialogu publiko-privat është esencial për adresimin e sfidave me të cilat ballafaqohet komuniteti i biznesit në Kosovë, si dhe për të siguruar stabilitet ekonomik afatgjatë. /Telegrafi/

Exit mobile version