Ambasadori rus në Beograd, Alexander Bocan-Kharchenko, ka thënë se kthimi në Rezolutën 1244 është baza dhe mënyra më e mirë për të zgjidhur çështjen e Kosovës.
Këto komente ambasadori rus i ka bërë me rastin e 21 vjetorit të miratimit të Rezolutës 1244 nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, transmeton Telegrafi.
Siç raportojnë mediat serbe, ambasadori rus ka vlerësuar se rezoluta mbeti në harresë dhe se mosrespektimi i saj është një burim paqëndrueshmërie në rajon dhe Evropë, dhe arsyeja pse një zgjidhje e përhershme për Kosovën nuk është arritur ende.
“Sot flitet shumë për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, në çfarë mënyre, cili është qëllimi, cila është zgjidhje e mundshme. Rezoluta 1244 ka mbetur në harresë te partnerët tanë perëndimorë, megjithëse ka rëndësi thelbësore. Nëse do të respektohej në masën e nevojshme, atëherë nuk do të mendonim për ndonjë dokument tjetër”, tha ambasadori rus. /Telegrafi/