Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar së fundi pas situatës së krijuar në veri të vendit.
Rohde ka thënë se pajtohet plotësisht me qëndrimin e SHBA-së, për veri, duke iu bërë thirrje palëve që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës, transmeton Telegrafi.
“Plotësisht dakord. Iu bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga përshkallëzimi, u bëjmë thirrje autoriteteve kosovare që të punojnë ngushtë me të NATO, KFOR dhe EULEX”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës në veri.
Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se dhuna në veri duhet të ndalohet menjëherë.
“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.
Ndryshe, Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit dhe të Zubin Potokut, përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse. /Telegrafi/
Fully agree. We call on everyone to refrain from escalation, urge Kosovan authorities to work closely with @NATO_KFOR and @EULEXKosovo . https://t.co/LFDggjM6jk
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) May 26, 2023