Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.
Në njoftimin e bërë për media nga zyra e kryeministrit thuhet se Kurti ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e deritanishëm.
“Kurti e njoftoi ambasadorin për programin qeverisës i cili shumë shpejt do t’ju paraqitet deputetëve për diskutim në Kuvendin e Republikës”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim theksohet se kryeministri shprehu besimin se programi qeverisës do të votohet në Kuvend dhe do të shoqërohet më pas prej projekt-buxhetit për këtë vit.
Ndërsa, ambasadori Grondahl tha se e ka përcjellë me vëmendje punën e Qeverisë dhe se i ka parë vendimet e deritanishme si hapa pozitivë.
Ambasadori nënvizoi se e ka ndjekur deklaratën e Kryeministrit javën e shkuar. Ai tha se masa e Qeverisë për të zëvendësuar tarifën është një hap pozitiv./Telegrafi/