Telegrafi

Ambasadori Hovenier i kërkon Qeverisë të zgjasë për 10 muaj afatin për targat, dhe të fillojë urgjentisht negociatat për Asociacionin

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të mërkurën në një takim me disa nga mediat online në Kosovë, përfshirë Telegrafin, ka kërkuar nga Qeveria që të mos vazdojë me gjobat ndaj qytetarëve në veri të Mitrovicës, për targat.

“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat për qytetarët serbë në veri, dhe ta zgjasë për dhjetë muaj afatin ri regjistrimin e makinave”.

Hovenier poashtu kërkoi nga Qeveria që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit.

“Qeveria të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”.

“Te dyja palët të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe të implementojnë marrëveshjet e Brukselit. Nuk është gjë e mirë që serbët janë larguar nga institucionet, kjo nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës. Asociacioni prej vitit 2013 ka qenë në tavolinë”, u shpreh ai.

I pyetur lidhur me raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas zhvillimeve të fundit, Hovenier theksoi se asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë pavarësisht kush është në pushtet.

Ndërkaq, Qeveria është duke vazhduar me qortimet ndaj atyre që nuk i kanë regjistruar veturat në RKS.

Kryeministri Albin Kurti, të mërkurën ka thënë se janë shqiptuar 1012 qortime për shoferët që drejtojnë veturat me targa ilegale.

Ai shtoi se sundimi i ligjit nuk është zgjedhje por detyrim.

“Duam sundim të ligjit sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje është detyrim, mungesa e tij është kërcënim për të gjithë. Me këtë kërcënim po ballafaqohen bashkëqytetarët në katër komunat në veri. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga bandat kriminale janë dëshmi se cka prodhon mungesa e sundimit të ligjit”, tha Kurti.

“Problemi i tyre nuk janë vendimet tona e as afatet që parashihen në to, 1012 qortime janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë. Problem janë sulmet me bomba, djegiet e veturave e shtëpive… ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës janë ata të cilëve u pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit e korrupsionit”, tha Kurti.

Ndryshe, raportohet se janë rreth 9.000 vetura me targa të paligjshme që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999./Telegrafi/