Site icon Telegrafi

Ambasadori i Gjermanisë takon Rakiqin, kërkon që sulmi ndaj djalit të Nenad Rashiqit të hetohet deri në fund

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka takuar sot zëvendëskryeministrin në detyrë, Goran Rakiq, me të cilin kanë diskutuar për ngjarjet e fundit në vend dhe zgjedhjet.

Përmes Twitter-it, Rohde ka thënë se është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë pjekuri tash pas zgjedhjeve.

“Sapo kam takuar zëvendëskryeministrin në detyrë, Goran Rakiq me të cilin diskutuam për zgjedhjet, për ngjarjet e fundit dhe zhvillimet politike. Theksuam se është e rëndësishme që të gjitha palët e interesit duhet të tregojnë pjekuri”, shkruan ai.

Po ashtu, ai tha se duke iu referuar incidentit në Llapnasellë, ku u rrah djali i politikanit serb të Kosovës, Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq, Rohde u shpreh se është e rëndësishme të bëhet një hetim i plotë për këtë incident.

“Referuar incidentit të në Lapnaselle, është e rëndësishme që forcat e rendit të bëjnë një hetim të plotë. Të gjithë akterët duhet të përmbahen nga gjuha përçarëse (nxitëse). Gjuha e urrejtjes është e rrezikshme. Çelësi është të punojnë për një të ardhme të përbashkët për të gjithë në Kosovë”, shkruan ambasadori.

Ndryshe, kryetari i Partisë Progresiste serbe në Kosovë, Nenad Rashiq në një konferencë për media ka folur rreth sulmit që i ndodhi djalit të tij, Nikolla Rashiq dje në Graçanicë.

Rashiq ka thënë se nuk dëshiron që të paragjykojë se cili ka qenë motivi i sulmit, por ka thënë se djali i tij me disa shokë është sulmuar nga një grup i të rinjve para shkollës.

Rashiq tutje theksoi se pas sulmit djalin e ka dërguar fillimisht për kontroll mjekësore në Graçanicë e pastaj në Prishtinë e Fushë Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version