Site icon Telegrafi

Ambasadori gjerman: Sa më shpejt që krijohet Asociacioni aq më mirë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, deklaroi të martën se është e rëndësishme që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet sa më shpejt.

Kjo pasi siç tha ai, në këtë mënyrë Kosova mund të bëj një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë.

Rohde tha se zgjidhja e qëndrueshme është ajo që përfshinë themelimin e një Asociacioni, “i cili është shkruar me kujdes sipas Kushtetutës së Kosovës”.

“Gjermania është një nga partnerët më të afërt të Kosovës dhe ne së bashku me BE-në dhe me mbështetjen e plotë të lehtësuesit të BE-së kemi bërë shumë përpjekje që të ketë një zgjidhje të qëndrueshme, dhe zgjidhja përfshin themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Dhe, kryeministri publikisht ka deklaruar se ky propozim i fundit i paraqitur nga BE-ja, është shkruar me kujdes sipas Kushtetutës së Kosovës. Jam 100 për qind  i sigurt se nuk po bëjmë asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe ne e mbështesim plotësisht Kosovën, dhe [Asociacioni] duhet të krijohet sa më shpejt aq më mirë dhe atëherë mund të bëjmë një hap të madh përpara në procesin e normalizimit me Serbinë,” u shpreh ai.

Ambasadori më tej komentoi deklaratën e sekretarit të NATO-s, i cili një ditë më parë u shpreh në Kosovë se përgjegjësit e sulmeve të majit dhe shtatorit duhet të ndëshkohen. Ai tha se kanë ngritur shqetësimet për kthimin e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor dhe se Aleanca është duke e shqyrtuar mundësitë e shtimit të përhershëm të pranisë ushtarake në Kosovë.

I pyetur për këtë deklaratë, Rohde tha se nuk i sheh deklaratat si diçka tjetër, veçse përkrahje për stabilitetin.

“NATO-ja është këtu për të përkrahur stabilitetin në Kosovë dhe asgjë s’ka ndryshuar. Ajo që shoh është se NATO-ja po reagon ndaj sulmit terrorist në Banjskë duke ofruar siguri, sidomos në veri…. Është e rëndësishme që të ketë siguri në veri”, u shpreh ai. /Telegrafi/

 

Exit mobile version