Telegrafi

Ambasadori gjerman Rohde: Kosova është vonuar në themelimin e Asociacionit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, sërish ka komentuar çështjen e Asociacionit.

Duke shpërndarë deklaratën e SHBA-së në Twitter, Rohde ka thënë se Kosova është zotuar që ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe qysh prej disa vitesh.

Ai ka përmendur datën kur Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për zbatimin Asociacionit, pra 27 qershorin e vitit 2013.

“Është e vonuar dhe do të çojë përpara bisedimet e normalizimit”, shkroi Rohde.

Para publikimit të draft-statutit, zyrtarë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje, patën takim  përfaqësuesin e organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Kosovë, Rene Schlee.

Në komunikatën dërguar mediave u tha se në këtë takim “u ritheksua qëndrimi i LV-së [Lëvizjes Vetëvendosje] kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshjeje tjetër mbi baza etnike”.

“Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve joshumicë, brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese”, u tha po ashtu në komunikatë.

Deri më tash, nuk ka komente nga Beogradi, por kur Friedrich-Ebert-Stiftung ka paralajmëruar publikimin e draft-statutit rreth dhjetë ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo nuk është punë e organizatave joqeveritare.

I përbërë nga 7 kapituj dhe 18 nene, ky draft-statut parasheh mënyrën e themelimit, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, rregullimin ligjor, buxhetin, si dhe aspekte të tjera të funksionimit të këtij asociacioni, përfshirë simbolet./Telegrafi/