Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri, ku një polic u vra, një u plagos, dhe një tjetër u lëndua.
Ambasadori Rohde thotë se autorët e këtij sulmi duhet të dalin të dalin para drejtësisë.
Gjithashtu, në reagimin e tij, ai ka pohuar se e mbështesin plotësisht deklaratën e homologut të tij amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili më herët tha se ShBA-ja i dënon sulmet e orkestruara ndaj policisë.
“Sundimi i ligjit duhet të zbatohet në Kosovë. Ngushëllimet e mia të përzemërta shkojnë për familjen e policit të vdekur dhe për policët e plagosur të Policisë së Kosovës”, deklaroi Rohde në Twitter.
Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua me armë mëngjesin e sotëm në fshatin Banjskë, të Leposaviqit.
“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.
Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, njoftoi Policia. /Telegrafi/
I fully associate with my US colleagues‘ statement. The perpetrators of this murderous attack against KOS law enforcement officers must be brought to justice. 1/2 https://t.co/lqk48HCm96
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) September 24, 2023