Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, i ka reaguar kreut të AKR-së Behgjet Pacolli, pasi ky i fundit ka shprehur pakënaqësi për vendimin e BE-së për lehtësim të liberalizimit të vizave për Bjellorusinë, ndërkaq Kosova pret që një kohë të gjatë për liberalizim.
Pacolli ka thënë se dëshiron të shoh se çfarë kanë për të thënë shefja e BE-së, Natalya Apostolova dhe ambasadori Heldt.
Heldt përmes një shkrimi në Twitter, i ka thënë Pacollit se duhet sqaruar se lehtësimi për procesin e liberalizimit të vizave për Bjellorusinë nuk është liberalizim i vizave.
Ambasadori pyet pse nuk duhet t’iu lehtësohet bjellorusëve procesi i liberalizimit të vizave kur një gjë të tillë e kanë bërë për Kosovën që nga viti 2008.
“Epo, pse s’duhet ne që për hir të njerëzve atje të bëjmë atë që aplikojmë në Kosovë që nga pavarësia në vitin 2008? Lehtësimi i vizave nuk është liberalizim I vizave. Vetëm sa për të sqaruar se për çfarë po flasim”, ka thënë Heldt, transmeton Telegrafi.
Më vonë ka reaguar edhe Apostolova.
Edhe ajo i ka kujtuar Pacollit se lehtësimi i vizave s’është sikur liberalizimi që po e kërkon Kosova.
“Marrëveshja e BE-së për lehtësim të vizave me Bjellorusinë është kategori nën atë të Liberalizimit të vizave të cilën Kosova është afër ta përmbyllë me BE-në. Marrëveshja e lehtësimit është hap fillestar për të siguruar lëshim më të lehtë të vizave dhe jo për t’i shfuqizuar ato. Kosova anashkaloi këtë hap dhe shkoi direkt në liberalizim të vizave. Andaj BE-ja nuk ka prezantuar liberalizim të vizave me Bjellorusinë, as nuk ekziston një mandat i tillë aktualisht. Në anën tjetër, BE-ja dhe Kosova janë në fazën e fundit të konkludimit të dialogut për viza që do të rezultojë në liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Apostolova.
Të mërkurën Parlamenti Evropian votoi pro lehtësimit të procedurave të qarkullimit për bjellorusët drejt BE-së.
Marrëveshja për liberalizim të vizave ishte aprovuar me 634 vota pro, ndërsa 48 ishin kundër. Katër ishin abstenime. Nën marrëveshjen e re, pagesa e vizës për bjellorusët dhe shtetasit e Bashkimit Evropian që udhëtojnë në territore të tjera për 90 deri në 180 ditë, do të reduktohet në 35 euro.
Afati kohor i konsullatave për të shqyrtuar aplikimet do të reduktohet në dhjetë ditë.
Pacolli të enjten ka thënë se përgëzon BE-në për kurajën që ka gjetur për t’ia lehtësuar Bjellorusisë procesin e marrjes së liberalizimit të vizave dhe për t’i lënë qytetarët e Kosovës të vetmit të privuar nga lëvizja e lirë. /Telegrafi/