Vandeleur Robinson, i cili shërbente si atashe ushtarak në Misionin Britanik në Shqipëri, në vitin 1945 u martua me Sara Blloshmin (mbesa e Ismail Qemalit) me të dhe u largua nga Shqipëria, duke marrë me vete edhe të bijën që kishte me burrin e parë. Si grua e hedhur dhe moderne, për Sarën flitej shumë në rrethet e larta të kohës. Shumëkush e konsideronte atë një kurtizane të shkathët. Në historitë e shumta të saj ziheshin në gojë ambasadorë të kohës me të cilët ajo kalonte mbrëmjet në hotelin “Dajti”, duke luajtur bixhoz deri në orët e vona të natës. Midis këtyre zihej në gojë edhe vetë Ahmet Zogu, i njohur për dallditë e tij ndaj seksit të dobët. Më poshtë është një letër nga “Archiv des Auswärtigen Amtes” në Berlin, Dosja R 72437. Letra është shkruar më 3 janar 1926, nga ambasadori gjerman në Tiranë.
“Në festën e Vitit të Ri, tek ambasadori amerikan ngjau diçka që meriton vëmendjen e gjithë atyre që interesohen për çështje historiko-kulturore. Për herë të parë në Shqipëri, një grua myslimane vallëzoi në publik. Ishte po e njëjta grua e cila dy vjet më parë, në një nga pritjet e organizuara prej trupit diplomatik – asokohe tepër i paktë – rrinte në lozhën e mënjanuar, e rrethuar nga katër kujdestarë dhe vërente nga larg gjëra, prej të cilave ajo ishte e ndaluar. Sepse vallëzimi i gruas në publik këtu ende dënohet me ligj…
Zonja Blloshmi, bashkëshortja bukuroshe e një deputeti, dhe motra e saj, kërcyen të pambuluara me ferexhe dhe të veshura me fustane të shkurtra fokstrot dhe shimi me pasion dhe me hov deri përtej mesnatës. Më tre të mëngjesit, ndërsa vallëzonin të palodhura, dukej se dy të zgjidhurat nga vargonjtë ende s’po bëheshin të ndërgjegjshme se shkundja e tyre e gjymtyrëve sinjalizonte ndoshta ardhjen e një epoke të re për Shqipërinë…
Efekti i këtij emancipimi qe i shumëllojshëm. Ndërsa një pjesë s’u çuditën dhe aq, duke qenë se zonja Blloshmi ka disa kohë që shfaqet e pambuluar në shtëpitë e botës, ambasadorit amerikan dukej se arritjet e përparimit, e lirisë dhe qytetërimit i shijuan veçanërisht. Ka tepër të ngjarë që të ketë informuar me një telegram edhe Shtëpinë e Bardhë.
Shqiptarët pleq nga ana tjetër u ndjenë thellësisht të fyer. S’paskësh mbetur më gjë e shenjtë mbi dhe, menduan, duke u dridhur nga përfytyrimi i një Shqipërie të ardhshme me kapela dhe dansim, futboll dhe poker, me trarà burse e mish derri dhe me një ngutje e dalldisje të jetës, që deri dje rridhte e qetë dhe plot filozofi…
Kardoff (ambasadori gjerman)” (përktheu: Ani Wilms). /GSH/