Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas incidenteve që ndodhën të martën në veri të vendit, ku persona të maskuar dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në atë pjesë.
Rohde ka thënë se sulmi i djeshëm është i papranueshëm, ndërsa ka shtuar se mbështetë protestat paqësore.
Tutje, ai ka theksuar se do të ketë zero tolerancë ndaj dhunës.
“Vërtet shumë shqetësuese. Dhuna e djeshme ndaj zyrave zgjedhore komunale është e papranueshme. Mirë që Policia e Kosovës në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in është prezente. Mbështetje e plotë për demonstratat paqësore, por zero tolerancë ndaj dhunës”, ka shkruar ambasadori Rohde në Twitter.
Very concerning indeed. Yesterday’s violence against municipal election offices are unacceptable. Good that KP in coordination with EULEX and KFOR is present. Full support for peaceful demonstrations but zero tolerance for violence. https://t.co/cYmwS19kuK
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) December 7, 2022
Policia e Kosovës ka konfirmuar të martën se janë regjistruar disa incidente në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut, por nuk është raportuar për të lënduar.
Në sqarimin e policisë thuhet se dyshohet për shkrepje armësh e shpërthimesh dhe gjithashtu bëhet e ditur se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.
Sipas komunikatës për media, këto incidente kanë ndodhur pasi njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore. /Telegrafi/