Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka mirëpritur vendimin e Parlamentit të Evropës (PE) për heqjen e vizave për Kosovën.
Guerot, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se pikërisht në bazë të masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti Macron është pajtuar për liberalizimin e vizave verën e kaluar.
“Shumë mirë për popullin e Republikës së Kosovës. Pikërisht në bazë të masave të marra nga Qeveria e Kosovës, presidenti Macron u pajtua për liberalizimin e vizave verën e kaluar”, ka shkruar ambasadori Guerot, transmeton Telegrafi.
#VisaLiberalization Très beau résultat pour les citoyens 🇽🇰grâce aux mesures prises par le gouvernement du Kosovo.
C’est sur la base de ce travail que le PR Macron 🇨🇵 avait fait part de notre accord l’été dernier. pic.twitter.com/sPO0Y55bVZ— Ambassadeur Olivier Guerot (@Olivier_Guerot) April 18, 2023
Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat vendimmarrëse për këtë çështje përmbyllen.
Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.
Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.
Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar. /Telegrafi/