Ambasadori SHBA në Kosovë, Greg Delawie bashkë me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, kanë vizituar vendin ku janë duke u kryer punimet në revitalizmin e hapësirës përreth urës së Ibrit në veri të qytetit.
Ambasada amerikane përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ambasadori Delawie dhe kryetari i pjesës veriore të Mitrovicës Rakiq kanë mbikëqyrur nga afër punimet në shëtitoren “Mbreti Petar I” dhe në rreth-rrotullimin në veri të Mitrovicës, siç edhe është paraparë në marrëveshjen e arritur, transmeton Telegrafi.
“Kjo është një dëshmi se nëse të gjithë punojmë së bashku, mund t’i bëjmë gjërat më të mira për të gjithë qytetarët”, thuhet në deklaratën e postuar në FB.
Të përkujtojmë se më 4 shkurt ishte arritur marrëveshja për rrënimin e murit të ndërtuar ilegalisht rrëzë urës në veri.
Është paralajmëruar se përurimi i urës së Ibrit do të bëhet më 3 mars, ku është thënë se do të marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. /Telegrafi/