Telegrafi

Ambasadori britanik në SHBA kritikon ashpër Donald Trumpin

Kryeministrja britanike Theresa May ka besim të plotë te ambasadori britanik në SHBA, Kim Darroch, i cili ka kritikuar presidentin amerikan Donald Trump dhe administratën e tij, në e-mailat që kanë rrjedhur në opinion.

Megjithatë, kryeministrja ka bërë të ditur se nuk pajtohet me vlerësimin që e ka dhënë ambasadori i vendit të saj, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër zëdhënësi i May ka njoftuar se rrjedhja e informacioneve ka qenë plotësisht e papranueshme, dhe se kabineti i kryeministres ka vënë kontakt me Shtëpinë e Bardhë.

Qeveria menjëherë ka filluar hetimet rreth asaj dhe se si e-mailat kanë rrjedhur, kurse zëdhënësi i May ka deklaruar se “është puna e ambasadorit të jap qëndrime të sinqerta”, por May “nuk po pajtohet me atë vlerësim”.

Sir Kim Darroch, ambasadori britanik në SHBA në e-mailat e dërguar e zbuluar, e ka përshkruar administratën e Donald Trumpit si të “paaftë”.

Ambasadori britanik në SHBA, ka vlerësuar se administrata e Trumpit është e paaftë dhe jofunksionale, dhe se ekzistojnë pak gjasa që do të rimëkëmbet, thuhet në informacionet e rrjedhura në opinion.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka thënë se “as ata nuk janë adhurues të këtij njeriu dhe se ata nuk i ka shërbyer mirë Britanisë së Madhe”.

E Zyra e ministrisë së Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe nuk e ka mohuar autenticitetin e këtyre dokumenteve, duke shtuar se publikimi i tyre paraqet “dëm” dhe se opinioni pret “që një diplomat të jap vlerësim të sinqertë të politikës në vendin ku shërben”. /Telegrafi/