Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka pritur në takim ambasadorin amerikan, Philip S. Kosnett, i cili ishte i shoqëruar nga zyrtarë të ICITAP-it amerikan.
Qalaj falënderoi ambasadorin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme që SHBA-ja ka bërë dhe po vazhdon ta bëjë ndaj Policisë së Kosovës.
Ai tha se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe obligimeve të saja ligjore karshi qytetarëve pa dallime, në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.
Temë diskutimi e këtij takimi ishin siguria e përgjithshme në Kosovë, lufta kundër të gjitha llojeve të krimit, ngritja dhe forcimi i integritetit dhe kapaciteteve policore, vazhdimi i bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare, si dhe synimi drejt anëtarësimit të PK-së në organizata ndërkombëtare.
Në njoftimin për media thuhet se ambasadori Kosnett vlerësoi përpjekjet dhe kontributet e PK-së për sigurinë e të gjithë qytetarëve dhe ishte i inkurajuar nga politikat e Policisë së Kosovës që kanë të bëjnë me përfshirjen dhe trajtimin e barabartë të të gjitha etniciteteve.
Ambasadori Kosnett konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, veçanërisht në lidhje me fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë. /Telegrafi/