Telegrafi

Ambasadori amerikan takoi gazetaret pjesëmarrëse në programin “Open World” për gazetari hulumtuese në SHBA

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka pritur sot në një takim gazetaren e Telegrafit, Jehona Hulaj dhe atë të Klan Kosovës, Rina Mujku, të cilat ishin pjesëmarrëse në programin e parë rajonal “Open World” për gazetari hulumtuese dhe antikorrupsion.

Ambasadori Hovenier ka shkruar në Twitter se gazetarët e guximshëm ndihmojnë në mbajtjen përgjegjëse të institucioneve.

“Kënaqësi të takoj Jehonën nga Telegrafi dhe Rinën nga Klan Kosova të cilat sapo janë rikthyer nga SHBA-të në kuadër të programit “Open World” për gazetarët investigativë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Këta gazetarë të guximshëm ndihmojnë në mbajtjen e institucioneve përgjegjëse”, ka shkruar ambasadori Hovenier.

Ndryshe programi i parë rajonal “Open World” është zhvilluar nga 16 deri më 27 maj në Washington D.C dhe Seattle, ku gazetarët pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë pasur mundësi të zhvillojnë takime të ndryshme dhe të ndajnë përvojat e tyre me gazetarë dhe ish-gazetarë amerikan në fushën e gazetarisë hulumtuese. /Telegrafi/