Site icon Telegrafi

Ambasadori amerikan takohet me Veselin, nuk flasin për media

Në kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shkuar sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett.

Diplomati amerikan u pa në hapësirat e Kuvendit të martën paradite. Pas takimit me Veselin nuk pati deklarata për media.

Por më herët, para se Veseli të shkonte në sallën ku mbahen seancat plenare, pranë kabinetit të tij u pa edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai nuk u deklarua për media, vetëm se duke dalë tregoi shkurt që është nisur për në ceremoninë ushtarake të FSK-së për nder të përvjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Ndërkohë, ambasadori Kosnett qëndroi në takim me Veselin rreth 40 minuta, pas së cilit, edhe zyrtarë të kabinetit të kryeparlamentarit bënë të ditur që nuk do të ketë deklarata për media.

Kujtojmë se takimet e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me liderët institucional në Kosovë janë shpeshtuar në këtë kohë kur Serbia nuk po merr pjesë në tavolinën e dialogut me Kosovën, me arsyetimin se nuk pranon dialog pa heqje të taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po sugjerojnë Kosovën që të pezullojë taksën, ndërkohë që shefi i Qeverisë vazhdimisht po deklaron që ajo mund të hiqet vetëm kur Serbia të njoh Kosovën.

Exit mobile version