Telegrafi

Ambasadori amerikan: I shqetësuar që disa parti po përdorin kërcënimet për të zvogëluar konkurrencën

Ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett, ka thënë se është i shqetësuar se disa parti po përdorin taktika të fshehta dhe kërcënime për të zvogëluar konkurrencën.

Përmes një postimi në Twitter, Kosnett tha se populli i Kosovës duhet të flasë nëse dikush e dëmton demokracinë e tyre.

“Të shqetësuar për thashethemet që disa parti tashmë përdorin kërcënime dhe taktika të fshehta për të zvogëluar konkurrencën ose për të hequr votën nga votuesit. Për popullin: Nëse e shihni dikë që po e dëmton demokracinë tuaj, flisni”, ka shkruar ambasadori.

Gjatë ditës së sotshme shtetet e Quintit, përmes ambasadorëve të tyre në Kosovë kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara përmes kësaj deklarate theksojnë se zgjedhjet e ardhshme janë mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit, njofton Telegrafi.