Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, e ka mirëpritur fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes për dokumentet e hyrje daljes mes Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori ka thënë se liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke mes dy vendeve.
“Mirëpres fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrjes/daljes. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hovenier.
Tutje, ka thënë se mezi pret të shohë përparim në çështje të tjera në muajt e ardhshëm.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.
Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.
Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e veturave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia. /Telegrafi/
Welcome the smooth start to implementation of the EU-facilitated agreement on entry/exit documents. Freedom of movement is essential to normalization of relations centered on mutual recognition for ?? & ??. Looking forward to seeing progress on other issues in the coming months.
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) September 1, 2022