“Mirënjohës për pritjen e miqve të vjetër për një darkë ribashkimi të “Ekipit të Unitetit” të Kosovës, negociatorë në bisedimet e Vjenës 2006/2007”.
Kështu ka nisur shkrimin Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili ka bashkangjitur edhe fotografinë e dikurshme dhe të tanishmen me “Ekipin e Uniteit”.
Hovenier tha se gjatë darkës së përbashkët është folur për të kaluarën dhe arritjet e Kosovës ndër vite.
“Ndërsa kujtuam të kaluarën, udhëheqjen e shkëlqyer të Martti Ahtisaarit dhe arritjet e shumta të Kosovës që atëherë, diskutimet tona u fokusuan në dëshirën tonë të përbashkët që Kosova të realizojë të ardhmen e saj evropiane dhe euroatlantike”, shkroi Hovenier.
Hovenier në vitin 1999 ishte pjesë e stafit të të dërguarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Martti Ahtisaari, si dhe në angazhime të përkohshme në vendet fqinje si Serbi dhe Mal i Zi.
Përveç kësaj, Hovenier në vitit 1999 ka qenë edhe pjesë e delegacionit të ShBA-së për bisedimet paqësore për çështjen e Kosovës, në Konferencën e Rambujesë, e cila ka filluar punimet më 6 shkurt të atij viti.
Ndërkaq atë kohë “Ekipi i Unitetit” negocionte me një ekip të ngjashëm nga Serbia nën ndërmjetësimin nga “Grupi i Kontaktit” në të cilin bënte pjesë edhe ish presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari.
Në to bisedohej për statusin final të Kosovës, por ato dështuan pasi pala serbe nuk pajtohej me propozimet. Këto bisedime i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Kosovë më 2008.
Në “Grupin e Unitetit” janë shumë fytyra të njohura që ende merren me politikë dhe kanë pozita vendimmarrëse.
Ndër ta kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri, pastaj ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, publicisti Veton Suroi, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, pastaj ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni,publicisti dhe këshilltari i ish-presidentit Thaçi, Blerim Shala etj. /Telegrafi/