Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka thënë sot se për herë të parë pesë kandidatë me prejardhje nga Kosova garojnë për zgjedhjet e landit të Hamburgut.
Ai në një postim në Facebook thekson se kandidatët që garojnë janë: Dafina Berisha, Kushtrim Lulaj, Muhamet Idrizi, Nikolla Tunici, Sami Musa.
Lexoni të plotë postimin:
Hamburgu po shkruan histori!
Për herë të parë, pesë kandidatë me prejardhje nga Kosova garojnë për zgjedhjet e landit të Hamburgut! Ky është një moment historik dhe një arritje e jashtëzakonshme jo vetëm për diasporën shqiptare, por edhe për forcimin e zërit të saj në politikën dhe politikbërjen gjermane.
Së bashku me udhëheqësin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Hamburg, Mizbah Mustafa, patëm kënaqësinë të mirëpresim dhe të bashkëbisedojmë me kandidatët:
Dafina Berisha (SPD)
Kushtrim Lulaj (CDU)
Muhamet Idrizi (CDU)
Nikola Tunici (CDU) dhe
Sami Musa (FDP).
Ftojmë të gjithë shqiptarët në këtë land të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Pjesëmarrja juaj nuk është vetëm një votë – është një zë më i fuqishëm brenda institucioneve gjermane!
Dikur, zëri i mërgatës sonë dëgjohej në rrugët e Hamburgut përmes protestave. Nesër, ai mund të dëgjohet në parlamentin e këtij landi, duke përfaqësuar interesat dhe të drejtat tuaja.
Këta pesë kandidatë vijnë nga parti të ndryshme politike, por ajo që i bashkon është më e madhe se ajo që mund t’i ndajë. Prandaj, bëhu pjesë e kësaj historie, duke qenë dëshmitar i saj.
Suksese Dafinës, Kushtrimit, Muhametit, Nikollës dhe Samiut – dhe gjithë miqve të Kosovës!. /Telegrafi/