Përmes një deklaratë të përbashkët, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e kanë vlerësuar si pozitive dhe e kanë përgëzuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, për iniciativën e saj që ta procedojë amendamentin e presidentit, Hashim Thaçi lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale tek kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Shtetet e QUINT-it, e kanë përgëzuar Osmanin për këtë iniciative, në deklaratën e tyre në të cilën i kanë bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe të Zyrës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara (ZPDhS), si dhe që të sigurojnë që ato të kryejnë misionin e tyre në përputhje me Kushtetutën.
“Në këtë vazhdë, e përgëzojmë Kryetaren e Kuvendit të Kosovës që e ka përcjellë propozimin e Presidentit për ndryshim te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, si dhe Zyrën e Prokurorit Special të Republikës së Kosovës për respektimin e autoritetit të ZPDhS-së për të hetuar zbulimin e mundshëm të paligjshëm të dokumenteve dhe informatave të besueshme, njëkohësisht duke ofruar ndihmën e saj sipas nevojës”, thuhet në deklaratën e shteteve të QUINT-it.
Ndryshe, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar shkresë Kuvendit të Kosovës, ku propozon një amendament për ndryshimin e nenit 162, paragrafi 13.
Thaçi i propozon Kuvendit të Kosovës këtë amendament “mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të zgjas deri atëherë kur njoftimi për përfundimin e mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq, në shkresën dërguar Kuvendit të Kosovës thuhet që amendamenti të adresohet për kontroll Kushtetues para se të vihet për aprovim në Kuvend.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka proceduar amendamentin e presidentit Hashim Thaçi lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale tek kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Republikën e Kosovës, Jorn Rohde ka përshëndetur vendimin e Osmanit, duke theksuar se tani procedura e kërkuar ligjore është respektuar plotësisht.
“Lajm i mirë! Procedura e kërkuar ligjore në procesin e ndryshimit të amandamentit të Kushtetutës tash është respektuar plotësisht. Nderime për kryeparlamentaren Osmani”, shkruan ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. /Telegrafi/
Good news! The required procedure in this legal process concerning the constitutional amendment is now fully respected! My Kudos to Speaker Osmani. Read the full Quint statement here: https://t.co/6oK2Z4L7r9
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) September 18, 2020