Site icon Telegrafi

Ambasada e Shqipërisë në Mal të Zi merr në mbrojtje tre të rinjtë që u rrahën barbarisht

Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi ka njoftuar se ka marrë në mbrojtje tre të rinjtë shqiptarë, të cilët janë rrahur në mënyrë barbare në Kotor, nga tetë persona me veshje ushtarake.

Përmes një reagimi për media, nga ambasada kanë thënë se po ndjekin nga afër ngjarjen.

Lexo po ashtu ​Kryeministri i Malit të Zi për rrahjen e të rinjve shqiptarë: Po punohet për arrestimin e sulmuesve

“Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor”, thuhet në reagim.

Tutje bëhet e ditur se një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa është kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhja e ngjarjes dhe ndëshkimi i autorëve.

“Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze”, thuhet mes tjerash në reagimin e ambasadës. /Telegrafi/

Exit mobile version