Site icon Telegrafi

Ambasada e Kosovës në Jerusalem, për Hajrullahun një çështje e mbyllur

Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu tha në Euronews Albania se një javë para se Glauk Konjufca të zgjidhej kryetar Kuvendi ai e kishte intervistuar dhe sa i takon raporteve të Kosovës dhe Izraelit kishte dhënë sinjale se kjo temë mund të rishqyrtohet.

Pra, siç tregoi dhe Hajrullahu, Konjufca ka shprehur, se pa cenuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe duke mos hedhur poshtë marrëveshjen për njohjen nga Izraeli, do të mund të konsideronte çështjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Ndërkaq deklarata e ministres së Jashtme, znj. Gërvalla bie në kundërshtim me kryetarin e Kuvendit sepse ajo tha që nuk pajtohet me opinionin e tij.

“Personalisht mendoj që është çështje e mbyllur sepse ambasadat tashmë janë hapur, partnerët e Kosovës qofshin Turqia dhe vende të tjera duhet ta kuptojnë këtë si diçka mes dy shteteve. Izraeli e ka njohur tashmë republikën e Kosovës. Tashmë janë vendosur dhe marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve dhe natyrshëm duhet ecur përpara. Momentalisht, nuk e shoh si temë kryesore,” – u shpreh Hajrullahu.

Sipas Kryeredaktorit të Telegrafit është Gërvalla ajo që në një farë mënyre ka heshtur presionin mbi institucionet nëse qeveria Kurti do t’i kthehet çështjes Kosovë-Izrael.

Ndërkaq sa i takon letrës së Blinken për Vuçiç ku i kërkon mbylljen e dialogut me Kosovën, Hajrullahu tha se e konsideron një çështje në favor të Kosovës. Duke qenë se Blinken dhe Biden janë shumë të familjarizuar me çështjen e Kosovës, kjo e fundit do dijë ta shfrytëzojë diçka të tillë.

Exit mobile version