Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë përgëzuar Kosovën për kthimin e 110 shtetasve të saj nga Siria, katër prej të cilëve supozohet të kenë qenë luftëtarë të ISIS-it dhe të tjerë, gra dhe fëmijë.
Kështu thuhet në një komunikatë për media nga ambasada e SHBA-së, në Kosovë.
Sipas komunikatës, me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm për të gjithë anëtarët e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in dhe bashkësinë ndërkombëtare në ndjekjen e së njëjtës rrugë.
“SHBA-të e përgëzojnë Kosovën për kthimin e 110 shtetasve të saj nga Siria: katër prej të cilëve supozohet të kenë qenë luftëtarë të ISIS-it dhe të tjerë, gra dhe fëmijë. Me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm për të gjithë anëtarët e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in dhe bashkësinë ndërkombëtare në ndjekjen e së njëjtës rrugë. I duartrokasim bashkëndjenjës së treguar për të pranuar kthimin të këtij numri të madh të civilëve. SHBA-të mbesin mirënjohëse ndaj Forcave Demokratike të Sirisë për mbështetjen e tyre në riatdhesim dhe për vazhdimin e mbajtjes humane nën arrest të të qindra luftëtarëve të ISIS-it nga dhjetëra vende tjera”, thuhet në komunikatën e ambasadës së SHBA-së, në Kosovë.
Ndryshe, institucionet e vendit në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë arritur të kryejnë operacionin e filluar nga muaji tetor i vitit të kaluar për të kthyer nga vatrat e luftës në Siri, 110 qytetarë të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/