Site icon Telegrafi

Ambasada britanike mbështet qëndrimin e SHBA-së lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë e ka mbështetur qëndrimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq në marsin e vitit të kaluar.

Ambasada amerikane në Prishtinë, sot përmes një kumtese, ka thënë se trysnia politike mbi sektorin e sigurisë është shkelje skandaloze e vlerave demokratike, duke komentuar gjetjet rreth operacionit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq një vit më parë.

”Ne mbështesim plotësisht deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë të dhënë sot për dëbimet e qytetarëve turq në marsin e kaluar. Institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgjegjshme dhe të nënshtrohen sundimit të ligjit”, thuhet në reagimin e Ambasadës britanike.

Lexo po ashtu Ambasada amerikane kërkon përgjegjësi të plotë për dëbimin e gjashtë shtetasve turq

Ndërsa në komunikatën e Ambasadës së SHBA në Prishtinë “thuhet se “kaloi afro një vit që kur Kosova pa një proces të rregullt dëboi gjashtë shtetas turq nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ne ishim të kënaqur të shihnim themelimin e një komisioni hetimor parlamentar i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij. Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Zbulimit të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik”. /Telegrafi/

Exit mobile version