Telegrafi

Ambasada amerikane në Prishtinë ul flamurin në gjysmështizë, në nderim të viktimave në Turqi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë e ka ulur në gjysmështizë flamurin amerikan këtë të mërkurë.

Kjo është bërë në nderim të viktimave që humbën jetën si pasojë e tërmetit të fuqishëm në Turqi.

Një veprim të tillë e ka bërë edhe Qeveria e Kosovës, duke ulur në gjysmështizë flamurin e vendosur në oborrin e këtij institucioni.

“Pas vendimit të presidentes Osmani që sot të jetë ditë zie për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri, iu bashkuam Qeverisë së Kosovës në uljen e flamurit tonë në gjysmështizë në respekt dhe përkujtim për ata që humbën jetën nga kjo ngjarje tragjike”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur të mërkurën ditë zie shtetërore në Kosovë, në shenjë solidarizimi me Turqinë dhe Sirinë, të cilat janë goditur nga një tërmet i fuqishëm që ka lënë të vdekur mijëra persona. /Telegrafi/