Në të njëjtën ditë kur Dani Alves bëri të ditur se po largohet nga Paris Saint-Germaini, mediat në Spanjë raportojnë se 36-vjeçari mund të rikthehet te Barcelona.
Kanë kaluar tri vite qëkur mbrojtësi brazilian u largua nga Camp Nou dhe iu bashkua Juventusit, derisa kishte fituar Scudetton dhe Kupën e Italisë në sezonin e tij të vetëm.
Më pas, Alves u transferua në vitin 2017 te PSG-ja, duke e fituar titullin e kampionit në Ligue 1 dhe Kupën e Francës, por tani kërkon një sfidë të re.
“Sot po mbyll një cikël tjetër në jetën time, një cikël fitoresh, mësimesh dhe përvojash. Do të doja të falënderoja familjen e PSG-së për mundësinë që së bashku të ndërtonim një faqe në historinë e këtij klubi”.
“Do të doja të falënderoj të gjithë stafin për dashurinë, respektin dhe pjesëmarrjen e tyre që nga dita e parë… Ta bëni këtë klub pak më të veçantë”, ka shkruar braziliani në llogarinë e tij në Instagram.
RAC1 raporton se Alvesi e dëshiron rikthimin te Barcelona për t’u ribashkuar kështu me Lionel Messin, që ishin dyshe perfekte në Camp Nou.
“Barcelona është shtëpia ime, është e pamundur të thuhet se nuk do të kthehesha”, tha ai në një intervistë me GloboEsporte . “Unë do të kthehesha nesër nëse Barcelona do të më thërriste”.
Alves po kërkohet po ashtu edhe nga Manchester City i Pep Guardiolas, mirëpo dëshira e tij është që të rikthehet të luajë sërish në Camp Nou. /Telegrafi/