Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka folur rreth dyshimeve të ngritura për provimin e jurisprudencës të kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo nuk është rastësi, por organizim i shantazhit.
Ajo ka theksuar se më e pakta që do të duhej të bënte kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi është pezullimi i funksionit të tij.
Postimi i plotë:
Këto ditë jam pyetur shumë në lidhje me qëndrimin tim si drejtuese e Komisionit për Legjislacion, në raport me dyshimet e ngritura për provimin e jurisprudences të kryeprokurorit Aleksander Lumezi.
Tashmë është kthyer në rregull që persona me probleme e parregullsi përzgjidhen deri te pozitat më të larta me qëllimin e vetëm që të jenë për çdo rast të shantazhueshëm. Çka po shohim është në fakt një prelud i shantazhit të ardhshëm.
Çuditërisht këto të dhëna asnjëherë nuk detektohen nga organet përgjegjëse kur i përzgjedhin si në rastin e kryeprokurorit. Ato dalin vetëm kur dikujt iu shkel në kallo apo i cenohet zona e pushtetit.
Kështu ne po përfundojmë me një ish kryetar të kushtetueses dhe përfaqësues në komisionin e Venecias që ka keqpërdorur tender përkthimi dhe një kryeprokuror që po dyshohet se ka shkelje të dokumenteve të shkollimit. Kjo nuk është rastësi, por organizim i shantazhit.
Pa dashur të paragjykoj të vërtetën, më e pakta që do të duhej të bënte kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi është pezullimi i funksionit të tij sepse kjo mund të paraqes ndërhyrje në procesin hetimor. /Telegrafi/