Telegrafi

Alternativa i jep rekomandime Qeverisë se si të veprojë me komunat e veriut

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka dalë sot në një konferencë për media bashkë me nënkryetarin e kësaj partie Reshat Nurboja.

Kusari-Lila në këtë paraqitje ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me fatin e katër komunave që gjenden në veriun e vendit, kryetarët e të cilave kanë dhënë dorëheqje pas vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës.

Sipas saj, fokusimi i Qeverisë në tema tjera, për të cilën thotë se po merret me nepotizëm dhe tema tjera rrezikon rrëshqitjen e katër komunave të veriut nga administrimi i Kosovës.

Kusari Lila tha se kryeministri nëpërmjet Ministrisë së Administratës është dashur që të deklarohet dhe të ketë një vendim dhe të shpallen zgjedhjet në këto komuna nga presidenti i Kosovës.

“Tash kemi një realitet në të cilën kryeministri i vendit deklaron publikisht se me mbajtjen e taksës parandalohet ndarja e Kosovës, përderisa kemi një realitet të krijuar i cili realisht ka filluar shumë vite më parë dhe i cili nënkupton shkëputje graduale nga kompetencat e Prishtinës të katër komunave të veriut. Me këtë rast Alternativa propozon komunikimin e menjëhershëm me popullatën e katër komunave në veri duke filluar me një grup punues formuar nga Qeveria. Nuk është Millan Radojciq përfaqësues i serbëve të Kosovës ato takimet që i ka bërë kryeministri apo edhe presidenti. Ai është frikë ndjellës i shqiptarëve dhe serbëve në veri dhe jo që ka ndihmuar por ka penguar procesin e integrimit të tyre”, tha Kusari – Lila.

Sipas saj, Qeveria në vend se të humb kohë me mekanizmat jo funksionalë për dialogun me Beogradin, duhet urgjentisht të krijojë mekanizma për dialog me serbët e Kosovës.

Kusari Lila thotë se përfaqësimi i serbëve nëpërmjet Listës Serbe duket se i ka dëmtuar interesat e komunitetit serb në Kosovë.

Alternativa kërkon nga Qeveria që të fillojë procesin e dialogut dhe të marr masa si vijon; të sqarojë sa më parë situatën e kryetarëve të dorëhequr në katër komunat e veriut dhe të marr masa për kthimin e normalitetit në këto komuna; Të krijojë planin e punës për projekte konkrete në këto komuna.

Qeveria e Kosovës sipas kryetares së Alternativës nuk guxon në këtë fazë të lejojë që realiteti i krijuar në këto komuna të definojë edhe realitetin e ri juridik, i cili mund të jetë shumë e lehtë shkëputja e katër komunave nga territori i Republikës së Kosovës.

Sipas Kusari-Lilës, angazhimi për katër komunat me shumicë serbe në veri duhet të përcjellët me kërkesat e vazhdueshme karshi faktorit ndërkombëtar për ngritjen e buxhetit, ngritjen e investimeve dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Sa i përket dialogut me Serbinë , Alternativa, sipas nënkryetarit Reshat Nurboja, sikurse të gjitha subjektet tjera politike dhe institucionet shtetërore është për dialog të Kosovës me Serbinë në kontekst të relaksimit të raporteve ndërshtetërore, por në dallim nga disa të tjerë, është kategorikisht kundër hapjes së bisedimeve rreth tërësisë territoriale të Kosovës.

Alternativa, kërkon shpalljen e zgjedhjeve jo vetëm për shkak të mosfunksionimit adekuat të institucioneve më të larta shtetërore por edhe për faktin se po dëshmohet se estabilishmenti aktual institucional shtetëror nuk ka kapacitet të mjaftueshëm intelektual e profesional të ballafaqohet suksesshëm me sfidat që po i parashtrohen shtetit në ketë faze të zhvillimit dhe funksionimit të saj.