Në kazermën “Evropianët e rinj”, në fshatin Pomozotin të Fushë-Kosovës gjendet edhe Njësia e Kërkim Shpëtimit K-9 (njësi e përgatitur e qenve) kjo njësi ka intervenuar në shumë operacione të kërkim shpëtimit e së fundmi edhe në operacionet në Shqipëri, pas tërmeteve të fuqishme që kanë ndodhur gjatë muajit nëntor.
Njësia e Kërkim Shpëtimi K-9, ka disa qenë të trajnuar për kërkime në male, kërkime nën rrënoja dhe kërkime nën orteqe.
Leutrim Ademi, trajner i qenit Alli, që ndihmoi në operacionet e kërkim shpëtimit në Shqipëri, tregoi për Telegrafin, se si bëhen trajnimet e tij.
“Me mëngjes ia bëjmë kontrollat mjekësore se a ka ndonjë lëndim, apo a është mirë me shëndet, pastaj vazhdojmë me punët fizike të mëngjesit. Më tutje vazhdojmë deri tek poligoni për kërkimin e gërmadhave”, ka thënë ai.
Ademi pohoi se kanë intervenuar në zonën e Durrësit pas tërmeteve, teksa bëri të ditur se me qenin Alli kanë intervenuar edhe në shumë operacione në Kosovë.
Mes tjerash, ai tha se qeni Alli është donacion nga KFOR-i turk, dhe se që në FSK është që nga viti 2017.
“Me ketë qen janë katër faza të kërkimit që mundemi me i bë, kërkime në mënyrë sipërfaqësore në male, nën rrënoja, dhe për kërkime nën orteqe”, ka thënë ai.
Mes tjerash, Ademi tha se qenët në K-9 ndahen në dy grupe, qenët e trajnuar për kërkim shpëtim dhe qenët e trajnuar për mjetet e pashpërthyera./Telegrafi/