Site icon Telegrafi

Allegri i zemëruar me agjentin Mino Raiola pas komenteve për De Ligt

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri është zemëruar me agjentin Mino Raiola që bëri thirrje për largimin e mbrojtësit Matthijs de Ligt.

Raiola e bëri komentet e tij në prag të ndeshjes së Juves me Milanin të dielën mbrëma.

Por, këto komente nuk i kanë pëlqyer aspak trajnerit Allegri, i cili ndihet i zemëruar me Raiolan.

Lexo po ashtu Raiola flet për të ardhmen e lojtarëve të tij: De Ligt mund të largohet në fund të sezonit, Romagnoli te Juventusi

“Ekziston një rrugë standarde për të gjithë, lojtarët dhe trajnerët. De Ligt është një lojtar i ri me cilësi, por ai ende ka nevojë të përmirësohet dhe do të qëndrojë shumë vite në Juventus, pavarësisht se sa ndeshje luan”, ka thënë fillimisht Allegri.

“De Ligt është 22 vjeç. Ai është një lojtar i shkëlqyer. Ai iu bashkua Juventusit nga Ajaxi kur ishte vetëm 20 vjeç. Pasi mbërriti këtu, dikush shkroi: ‘Ai është një fitues i ardhshëm i Topit të Artë’”.

“Djelmosha, duhet qetësi. Ai është 20 vjeç, por fanella e Juventusit është e rëndë. Chiellini ndoshta nuk ishte aq i mirë sa De Ligt në moshën e tij, por në moshën 27-28 vjeç, ai u bë një lojtar i madh. Duhet kohë”, përfundoi trajneri i Juves. /Telegrafi/

Exit mobile version