Juventusi e ka nisur sezonin e ri me një fitore bindëse në udhëtim te Udinese me rezultat 0-3.
Përveç fitores së thellë Juventus ka bindur edhe me lojë duke dominuar kundërshtarin nga fillimi deri në fund të ndeshjes.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri foli pas ndeshjes duke thënë se në pjesën e dytë kanë ulur ritmin dhe për atë nuk është i kënaqur, por sa i përket fitores dhe tre pikëve po.
“Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në të dytën nuk bëmë aq sa duhej. Duhet të përmirësohemi kur kemi topin në kontroll, si dhe duhet të përmirësohemi po ashtu edhe në rastin kur humbasim zotërimin, duhet të mbrojmë më mirë. Gjithsesi, ishte një ndeshje e mirë duke marrë parasysh edhe vapën”.
Tutje Allegri foli edhe për Federico Chiesan, duke thënë se ai është një sulmues qendror dhe jo një lojtar krahu.
“Chiesa për mua është një sulmues dhe jo një lojtar krahu. Ndoshta edhe gaboj, por në krah humbet shumë nga potenciali i tij. Kundërshtarët e izolojnë në krahë dhe e ka të vështirë për t’u nisur, ndërsa pranë Vlahovic përfiton më shumë hapësira”.
“Po përmirësohet në këtë pozicionin e ri, por duhet të mendojë pak edhe për vendosjen në momentin kur nuk e ka topin në zotërim. Chiesa është nga ata lojtarë që duhet të shënojnë 14-16 gola. Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, nuk kemi bërë asgjë dhe vuajtëm në disa momente”, u shpreh Allegri. /Telegrafi/