Trajneri i Juventusit Massimiliano Allegri është gati të pranojë punën te Arsenali nëse Arsene Wenger largohet këtë verë, shkruan The Sun.
Sipas gazetës angleze, trajneri 50-vjeçar nga Livorno ka vizion të qartë për të udhëhequr një skuadër të Ligës Premier dhe mund ta drejtoj gjatë sezonit të ri.
Wenger është në stolin e Gunners pothuajse 22 vite, por gjithnjë është më afër largimit pas një sezoni të keq në ligën elitare angleze.
Allegri ka kontratë me Juventusin deri në qershor të vitit 2020, por vazhdon të mësojë gjuhën angleze dhe mbetet në listën e dëshirave të Arsenalit nëse s’do të vazhdojë Wenger.
Bardhezinjtë arritën dy finale të Ligës së Kampionëve në tre vjetët e fundit, ndërsa kanë fituar tituj të Serie A dhe Coppa Italia.
Këtë javë, Allegri impresionoi tifozët anglezë në Wembley, kur Juventusi eliminoi Tottenham Hotspur nga Ligën e Kampionëve pas një rezultati 2-1 në Londër.
Ndryshe, Arsenal sot do të takohet me Watfordin ndërsa Juventusi do të mirëpret Udinesen. /Telegrafi/